Pagine

NATO pezullon bashkëpunimin me Rusinë

NATO pezullon bashkëpunimin me Rusinë Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë rënë dakord të pezullojnë të gjitha bashkëpunimet praktike, civile apo ushtarake, me Rusinë.


Sekretari i Përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen tha se aneksimi nga Rusia i rajonit ukrainas të Krimesë ishte kërcënimi më i madh ndaj sigurisë europiane pas shumë e shumë vitesh. Ai deklaroi se për këtë çështje nuk mund të bëhet “biznes”.


Më herët, ai kishte mohuar kategorikisht raportimet se Rusia ishte duke tërhequr forcat ushtarake nga kufiri me Ukrainën.


Moska besohet të ketë dislokuar me dhjetra-mijëra trupa në kufirin lindor të Ukrainës, gjatë ditëve të fundit, duke shkaktuar alarm në Kiev dhe për Perëndimin.


Ministrat e Jashtëm nga blloku ushtarak i Atlantikut Verior prej 28 anëtarësh u mblodhën në Bruksel për takimin e parë që pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, duke lëshuar kështu një deklaratë të fuqishme, në të cilën ata dënuan aneksimin “ilegal” nga Rusia të rajonit ukrainas të Krimesë.


Ata ranë dakord të pezullojnë bashkëpunimin e NATO-s me Rusinë në disa aspekte, por shtuan se dialogu në Këshillin NATO-Rusi do të vazhdojë, për sa kohë të jetë i nevojshëm, në nivel ambasadorësh “në mënyrë që të na lejojë të shkëmbejmë pikëpamjet tona, mbi të gjitha për krizën në fjalë. Ne do të rishohim marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë në takimin e ardhshëm tonin, në Qershor”.


Ministrat kanë marrë në shqyrtim edhe opsione të tjera, përfshi këtu vendosjen e përhershme të bazave ushtarake në shtetet balltike për të siguruar vendet anëtare në Europën Lindore. Veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë shkaktuar shqetësime në Estoni, Letoni dhe Lituani, të cilat kanë qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovietik gjatë Luftës së Ftohtë.


Avionët e NATO-s do të marrin pjesë në patrullime nga ajri në rajonin e trazuar, në periudhën në vijim, në një stërvitje rutinë të cilën analistët thonë se kanë marrë një domethënie të veçantë për shkak të krizës. Disa vende të NATO-s, përfshi Britaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Francën, kanë ofruar avionë ushtarakë shtesë.


Duke shpallur pezullimin formal të marrëdhënieve, Rasmussen tha se mesazhi i NATO-s ishte i qartë: Aleanca qëndron në krah të aleatëve, në krah të Ukrainës dhe në krah të sistemit ndërkombëtar të rregullave, që janë krijuar e zhvilluar në dekadat e fundit. Ai nxiti Rusinë të bëhet pjesë e një zgjidhjeje “në respektim të ligjit ndërkombëtar dhe kufijve të Ukrainës”.


Ai tha gjithashtu se NATO do t’i ofrojë Ukrainës më shumë akses në stërvitjet e aleancës dhe mbështetje në zhvillimin e mëtejshëm të ushtrisë së saj.


NATO: S’ka tërheqje të trupave ruse


Për NATO-n trupat ruse nuk janë tërhequr nga kufiri me Ukrainën. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Anders Fog Rasmusen nënvizoi se mënyra më e mirë për ta zgjidhur krizën, është përmes dialogut politik. “Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës sfidon vizionin tonë për një Europë të lirë dhe në paqe”, tha ai.


Ministrat e Jashtëm të NATO-s po diskutojnë mënyrat për të ndihmuar Ukrainën dhe për të garantuar aleatët në Europën lindore. Kjo lëvizje vjen pasi Rusia, muajin e kaluar aneksoi Krimenë.


Ndërkohë Moska paralajmëroi Kievin kundër integrimit në NATO. Ministria e Jashtme tha se “një përpjekje e tillë në të shkuarën ka çuar në ngrirjen e marrëdhënieve politike mes Rusisë dhe Ukrainës, ishte një “dhimbje koke” për marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë dhe shkaktoi një ndarje të thellë brenda shoqërisë së Ukrainës”.


Të hënën, presidenti rus, Vladimir Putin i tha Kancelares gjermane Angela Merkel se kishte urdhëruar tërheqjen e pjesshme të trupave ruse pranë kufirit lindor me Ukrainën.


/ Top Channel

Serbia paralajmëron rezolutë të re për Kosovën

Serbia paralajmëron rezolutë të re për KosovënKryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq ka paralajmëruar mundësinë e miratimit edhe të një rezolute për Kosovën në Kuvendin e Serbisë dhe ka theksuar se Beogradi duhet të ketë qëndrim të qartë.


“Drejtësia është fushë e cila as në Serbi nuk i ka të rregulluara të gjitha raportet. Atje (në Kosovë, vërejte e Koha.net)duhet të kemi gjykatës të shkathtë. Në këtë kohë, ndoshta nuk është e zbatueshme që të dërgojmë gjykatës për ndihmë, porse kjo nuk përputhet në sistemin e ligjeve të Prishtinës. Po ashtu nëse EULEX do të ndryshojë mandatin e vet dhe numrin, atëherë duhet të arrijmë një marrëveshje të re”, ka thënë Nikoliq, njofton Tanjug .
“Unë, nëse më ngarkojnë, do të ndihmojnë për rezolutë të re. Nëse kërkohet, do të deklarohem për rezolutën që do ta paraqiste Qeveria”, tha NIkoliq


Duke folur për takimin e djeshëm në Bruksel Nikoliq ka thënë: “Në ndërkohë, që nga arritja e Marrëveshjes së Brukselit, kanë ndodhur shumë gjëra që nuk kanë qenë të parapara – Forcat e Armatosura të Kosovës për të cilat nuk ka pasur parashenja se do të bisedohej, pastaj në botë ka pasur ngjarje të ndryshme që ,sipas tij, mund të lëkundë vetëbesimin e Prishtinës e Beogradin ta shtyjë të mendojë nëse mund të ofrojë zgjidhej përfundimtare që do të ishte në përputhje me kushtetutën tonë, të drejtën ndërkombëtare dhe realitetin. Nuk mund të fitojmë tërë atë që duam dhe as të humbim gjithë atë që e dëshirojnë të tjerët”, ka thënë ai.


Sipas tij, ekipi i negociues i Beogradit në dialog me Prishtinë do t mbetet, por që Vuçiq, nëse e do mandatin e kryeministrit,, do t’i udhëhiqte drejtpërsëdrejti bisedimet.

Ministrat e jashtëm të NATO-s diskutojnë për Ukrainën

Ministrat e jashtëm të NATO-s diskutojnë për UkrainënMinistrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s mblidhen sot në Bruksel për të disktutuar për situatën në Ukrainë.


Ky është takimi i parë i aleancës veriatlantike pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.


NATO e ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake në Ukrianë, por është e përkushtuar për t’i siguruar vendet anëtare të NATO-s në Evropën Lindore, e veçanërisht shtetet baltike, ku Shtetet e Bashkuara kanë dërguar aeroplanë luftarakë shtesë për të marrë pjesë në patrullimet e rregullta.


Diplomatët thonë se ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s, pritet  të debatojnë për disa opsione, nga shtimi i stërvitjeve ushtarake dhe dërgimi i ushtarëve në vendet anëtare nga lindja, e deri te vendosja e përhershme e forcave atje.


Ministrat do ta rishqyrtojnë edhe bashkëpunimin e NATO-s me Rusinë dhe ndihmën eventuale për forcat e Ukrainës, në mënyrë që ato të jenë më efikase.


Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur dje një seancë joformale për Krimenë.


Në takim morën pjesë pjesëtarë të pakicës tatare në Krime, përfshirë edhe liderin lokal, Mustafa Dzhamilev, njëherësh ish-disident sovjetik.


Seanca ishte organizuar nga Lituania, ndërsa përfaqësuesit e saj thanë se në këtë mënyrë u jepet mundësi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që për të parën herë t’i dëgjojnë shqetësimet e tatarëve të Krimesë, për mediat dhe të drejtat e pakicave.


Por, Rusia, e cila aneksoi rajonin e Krimesë në Ukrainë, e ka bojktouar seancën e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit, duke thënë se ajo ishte e parashikuar për të mos dhënë dëshmi objektive të zhvillimeve në rajon, “por për të dhënë shou të propagandës së njëanshme”.


Zëvendësambasadorja e Lituanisë në Kombet e Bashkuara, Rita Kazragien, e ka kundërshtuar deklaratën e Rusisë, duke thënë se shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit e konsiderojnë referendumin për statusin e Krimesë ilegal dhe nuk e njohin aneksimin e këtij rajoni.