Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim ministren e Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë, Klajda Gjosha.
Me këtë rast presidentja Jahjaga e vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe theksoi nevojën e zgjerimit të këtij bashkëpunimi sidomos në procesin e integrimeve evropiane.
Ajo tha se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është prioritet i institucioneve të vendit, duke vënë në pah përparimet që janë shënuar në konsolidimin e shtetësisë, në krijimin e shtetit ligjor dhe gjithëpërfshirës, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet fqinje.
Presidentja Jahjaga tha se Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përmes shkëmbimit të përvojës në këtë proces.
Ndërkaq, ministrja e Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë, Klajda Gjosha vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës në procesin e reformave dhe në arritjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian./Indeksonline/
Nessun commento:
Posta un commento