Ditën e sotme në qytetin e Durrësit është prezantuar Kodi i ri Doganor, ku në këtë aktivitet merrnin pjesë kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama tha se, sistemi i ri i doganave përben një hapi të madh të në rritjen e sigurisë për eksportuesit dhe importuesit, në funksion të luftës ndaj burokracisë dhe korrupsionit. Ai theksoi më tej se, doganat shqiptare do të transformohen rrënjësisht.
“Është një ditë e shënuar për marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, doganave shqiptare dhe importuesve dhe eksportuesve. Shënon ndërmarrjen e një hapi të madh të përbashkët e të shumëpritur në drejtim të rritjes së sigurisë për eksportuesit dhe importuesit, në drejtim të futjes së inovacionit në funksion të luftës ndaj burokracisë dhe korrupsionit. Doganat shqiptare janë në një fazë transformimi rrënjësor.
Për të bërë ndryshim nga një epokë boshllëku të madh në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, në një epokë me një qasje të re ndaj biznesit. Më parë biznesi është parë si burim të ardhurash për t’u nxjerrë me hir e pahir, në një epokë ku biznesi trajtohet si partner strategjik në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Tashmë dogana dhe tatimet janë krahët më të cilët shteti iu shërben njerëzve të biznesit.
Ky kod është njehsimi i kodit doganor shqiptar me kodin evropian. Ky transformim kërkon një seri masash dhe politikash të reja, dhe më 1 janar të vitit të ardhshëm të bëhet e mundur që marrëdhënia e re e doganave dhe biznesit të ndërtohet në këtë formë. Shteti nuk është më padroni, dhe sipërmarrësi skllavi që takohen të dy në një pikë doganore, sipërmarrësi sot është zot në punën e tij dhe shteti shërbëtor i sipërmarrësit për të mundësuar që të ardhurat të rriten falë besimit te shteti, jo te gjobat e bllokimet”, – u shpreh kryeministri Rama.
“Do të përgatitet administrata e doganave të Shqipërisë për të përballuar sfidat që sjell ky kod i ri që në themel ka lehtësimin e skajshëm të të gjitha procedurave, dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Në themel të kodit shërbimi ndaj biznesit. Nuk kanë munguar ligjet te ne, por vullneti për aplikim. Me këtë kod për ne sfida nuk është vullneti, pasi këtë e kemi, por kërkohet aftësimi i punonjësve në dogana në nivel europian. Që të punojnë me standarde evropiane. Për këtë nevojitet një proces trajnimi”, tha Rama.
Ndërsa, drejtoresha e Doganave në fjalën e saj, theksoi se kryeministri dhe qeveria kanë dhënë mbështetjen e plotë për funksionimin e këtij projekti, një projekt me anë të të cilit synohet modernizim i sistemit të doganave dhe mbrojtja e vendit nga tregtia e paligjshme. Spiropali u shpreh se Kodi i ri ka shumë risi që mundësojnë dhe lehtësojnë marrëdhëniet e doganës me biznesin dhe afron administratën doganore shqiptare me standardet e Bashkimit Europian. “Me kodin e ri të doganave kursehet kohë dhe para. Kodi nuk është kusht për në BE, nuk është një rrugë për diku, por për të ndërtuar shtetin e europian brenda nesh”, theksoi drejtoresha e Doganave.
Nessun commento:
Posta un commento