Pagine

Shqetësohet UNESCO për privatizimin e Butrintit

Shqetësohet UNESCO për privatizimin e ButrintitPrivatizimi i një pjese të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Butrintit, ka shqetësuar edhe UNESCO-n. Pak ditë pasi Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë, denoncoi publikisht rastin, kanë reaguar zyrtarë të lartë të Qendrës së Trashëgimisë Botërore.



Përmes një letre, dërguar ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, Kishore Rao, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Kulturore-UNESCO, në Paris ka kërkuar informacion të detajuar. Në letër,(që i ka shkuar për dijeni edhe Komisionit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n), Rao pyet se si qëndron çështja e ndryshimit të pronarit. Më tutje, ai kërkon të dijë nga shteti shqiptar se ku shtrihen ekzaktësisht tokat e privatizuara, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore dhe sa ky privatizim mund të ndikojë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit.


“Qendra e Trashëgimisë Botërore së fundmi ka marrë një artikull në lidhje me ndryshimin e pronësisë mbi tokën e Parkut Kombëtar të Butrintit. Po ju dërgoj, edhe një kopje të artikullit, i cili gjithashtu mund të lexohet edhe këtu.


Në përputhje me paragrafin 174 të udhëzimeve operacionale, përgjigja e qeverisë suaj, do të na mundësojë të verifikojmë burimin dhe përmbajtjen e informacionit që ka marrë qendra. Prandaj, unë do ju isha mirënjohës nëse ju mund ta përcillni këtë mesazh, tek autoritetet tuaja lokale e kombëtare, dhe të na njihni ne me komentet e tyre mbi ndryshimin e pronarit të tokës dhe ndikimin e mundshëm që kjo mund të ketë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit, pasuri e Trashëgimisë Botërore. Ne do ju ishim mirënjohës, nëse autoritetet tuaja mund të na saktësojnë se ku shtrihen ekzaktësisht tokat në fjalë, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore”, citohet letra në “GSH”.


Pak ditë më parë, Forumi i Trashëgimisë përmes një deklarate për mediat, njoftoi se Butrinti është privatizuar, dhe se pronari i ri i një pjesë të tij, është Agim Toro, i cili e ka marrë atë si kthim prone. Gjatë këtyre ditëve, në media ka pasur debate mes palëve. Toro, ka qenë për një kohë të gjatë i punësuar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Anëtarët e Forumit, kanë bërë me dije se ndër pjesët e Butrintit që i kalojnë Toros, është edhe vetë teatri antik.


Nessun commento:

Posta un commento