Pagine

Herpes

Herpes simplex është një infeksion shumë i shpeshtë virusal. Kjo sëmundje paraqitet në formë të një grupi flluskash të vogla që dalin në buzë ose rreth gojës. Lëkura rreth këtyre flluskave zakonisht është e pezmatuar (e skuqur, e ënjtur dhe e dhimbshme).

Flluskat mund të hapen, dhe lëngu brenda tyre të rrjedhë dhe vendi të bëhet dregëz pas disa ditësh. Ato zakonisht shërohen nga disa ditë deri në dy javë.

Çfarë i shkakton flluskat?

Këto flluska që quhen edhe flluska ethesh, janë pezmatime të cilat shkaktohet nga infeksioni me virusin herpes simplex. Ekzistojnë dy lloje të këtij virusi, lloji 1 dhe lloji 2. Flluskat e etheve më së shumti shkaktohen nga virusi herpes simplex i llojit 1 (HSV-1) dhe ky lloj herpesi quhet edhe herpesi oral ose herpes simplex labialis (i buzëve).

Virusi herpes simplex i llojit 2, HSV-2, shkakton më së shumti herpesin gjenital. Por edhe HSV-1 e edhe HSV-2 mund të shkaktojnë të dyja llojet e herpesit, edhe atë labial ose të fytyrës, e edhe atë gjenital.

Si merret virusi herpes simplex?

Virusi herpes simplex futet në trup përmes ndonjë çarje në lëkurë rreth ose brenda gojës. Zakonisht shpërndahet kur një person bie në kontakt me flluskat e etheve të personit tjetër ose prek lëngun e infektuar, si për shembull kur personat përdorin të njëjtat enë, gota ose rruhen me të njëjtin zhilet, kur puth një person të infektuar, ose prek pështymën e atij personi. Prindi i cili ka flluska pezmatuese shpesh e shpërndan infeksionin te fëmija i tij në këtë mënyrë. Herpesi po ashtu mund të shpërndahet edhe në zona të tjera të trupit.

Cilat janë simptomat e herpesit?

Simptomat e para të herpesit labial mund të përshijnë dhimbje rreth gojës dhe buzëve, temperaturë, dhimbje në fyt, ose gjëndra të ënjtura në fytin tuaj ose pjesë të tjera të trupit. Fëmijët e vegjël ndonjëherë jargëzojnë para paraqitjes së flluskave të etheve. Pas paraqitjes të herpesit, flluskat e mbushura zakonisht shpërthejnë, lëngu rrjedh dhe pastaj vendi bëhet dregës dhe largohet pas disa ditësh ose disa javës. Te disa njerëz, pezmatimi i lëkurës mund të jetë shumë i dhimbshëm.

Disa njerëz e kanë virusin por te ata nuk paraqiten këto flluska në formë puçrrash. Ata persona nuk kanë as simptoma.

Si diagnostikohet herpesi?

Mjeku juaj mund t’ju tregojë se keni herpes duke ju bërë pyetje për të kuptuar nëse ju keni qenë në kontakt me virusin dhe duke ju ekzaminuar. Ju mund të duhet të bëni edhe disa analiza për të vërtetuar se është pikërisht kjo sëmundje ajo që supozohet.

Si trajtohet herpesi në buzë?

Pezmatimet në lëkurë zakonisht fillojnë të shërohet vetë brenda disa ditësh. Por nëse kjo shkakton dhimbje ose ju ndjeheni të turpëruar, ai mund të trajtohet. Trajtimi mund të përshijë kremra dhe pomada për lëkurë, dhe ndonjëherë edhe tableta për pirje. Trajtimi mund ta përshpejtojë largimin e flluskave për disa ditë, por mund po ashtu të lehtësojë edhe dhimbjen ose simptomat tjera që shkaktojnë shqetësim te pacienti.

Virusi herpes simplex që shkakton paraqitjen e këtyre flluskave nuk mund të mjekohet. Pasi ju infektoheni së pari me këtë virus, ai qëndron në trupin tuaj për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Nëse pezmatimi me ethe paraqitet shpesh te ju, trajtimi mund ta zvogëlojë shpeshtësinë e paraqitjes së flluskave pezmatuese dhe ashpërinë e tyre.

Si mund t’i parandaloni paraqitjen e flluskave?

Ka disa gjëra të cilat mund t’i bëni për t’u ruajtur nga prekja me virusin herpes simplex.

  • Shmangni kontaktin me lëngjet e infektuara të organizmit, si për shembull të puthësh një person të infektuar.



  •  Shmangni ngrënien në enët, gotat dhe pajisjet tjera të cilat një person me herpes mund t’i ketë shfrytëzuar.


Pasi jeni infektuar me virus, nuk ka një mënyrë të sigurt për të parandaluar shpërthimin e flluskave. Por ka disa gjëra të cilat mund t’i bëni për të ulur numrin e shpërthimeve dhe të parandaloni shpërndarjen e virusit.

  • Shmang gjërat të cilat stimulojnë paraqitjen e flluskave, si stresin dhe të ftohtit ose gripin

  • Gjithmonë përdor zbutës buzësh dhe krem për mbrojtje nga dielli në fytyrën tuaj.

  • Rrezatimi i tepërt i diellit mund të bëjë që flluskat të shpërthejnë.

  • Shmang ndarjen e peshqirit, zhiletëve, bizhuterive, brushave të dhëmbëve ose objektet tjera të cilat personi me herpes mund t’i ketë përdorur.

  • Kur ju keni shpërthime të flluskave, sigurohuni t’i pastroni duart shpesh, dhe përpiquni të mos i prekni vendet e pezmatuara. Kjo mund t’ju ndihmojë të mos e shpërndani virusin në zonën rreth syrit ose gjenitaleve ose te njerëzit e tjerë.


Bisedo me mjekun nëse keni shpërthime të shpeshta të flluskave. Ju mund të jeni në gjendje të përdorni edhe tableta të përshkruara nga mjeku për të parandaluar shpërthimin e tyre.

Djersitja pas lindjes

Unë djersitem vazhdimisht që nga lindja.


Çfarë po ndodh?



Është e zakonshme të djersiteni shumë në javët pas lindjes, sidomos gjatë natës. Djersitja është një nga mënyrat ku trupi juaj liron ujin shtesë, që keni fituar gjatë shtatzënisë.


Veshkat tuaja janë përgjegjëse për shumicën e spastrimit, që do të thotë që ju do të urinoni më shumë se zakonisht, gjate javëve te para pas lindjes. Por, poret tuaja do të punojnë edhe “jashtë orarit” për të hedhur jashte ujin shtesë. Edhe stresi i ri emocional i amësisë, mund të shkaktoje që të djersiteni më shumë.


Edhe pse nuk dihet me siguri të plotë, por ka mundësi që edhe rënia dramatike e estrogjenit që shkaktohet pas lindjes, mund të kontribojë poashtu në djersitjen tuaj.


Megjithatë, edhe pas largimit të ujërave shtesë, ju mund të vazhdoni të djersiteni më shumë se zakonisht nëse jeni nënë gjidhënëse. Përsëri, shkaku nuk është studiuar/kuptuar mirë, por teoritë përfshijnë ndryshimet hormonale dhe metabolike të lidhura me gjidhënjen.


Megjithatë, djersitja pas lindjes është plotësisht normale, nëse nuk përcjellet me temperaturë, nëse po, atëherë ka mundësi që ju të keni ndonjë infeksion.


Djersitja e tepërt, poashtu mund të jetë shenjë e ndonjë problemi tjetër, siç është gjëndra tiroide tepër aktive. Konsultohuni me mjekun tuaj, nëse djersitja përcjellet me temperaturë apo nëse mendoni që djersitja juaj është e tepërt.


Sa kohë do të zgjasë kjo?
Djersitja pas lindjes mund të zgjasë disa javë pas lindjes, dhe tenton të zgjasë më gjatë nëse jeni nënë gjidhënëse.


Çfarë mund të bëj në lidhje me këtë?
Mos e ndëpreni konsumimin e lëngjeve, duke shpresuar që do të djersiteni më pak.


Konsumimi i ujit dhe i lëngjeve të tjera joalkoolike, aktualisht ndihmon në përshpejtimin e eliminimit të ujit shtesë dhe mban trupin tuaj larg dehidrimit.


Gjatë kësaj periudhe preferohen veshjet e buta/lehta prej pambukut, dhe shmangja sa më shumë e sintetikës.

Mollët dhe mjalti kthejnë fuqinë

Çdo dietolg ka njohuri për veprimin dhe efikasitetin e mjaltit në rastet e shumë sëmundjeve të zemrës, veshkave, stomakut dhe zorrëve, ndërsa mollët që nga kohët e lashta janë shumë të vlerësuara si mjet i shkëlqyeshëm shërues.


Pasi që përmbajnë sasi të bollshme të materieve shëruese, mollët dhe mjalti kanë veprim pozitiv për gjumë dhe tretje të mirë, çka është shumë e rëndësishme jo vetëm për të sëmurët, por edhe për personat e shëndoshë.


Kur i sëmuri refuzon çdo ushqim që i ofrohet, në shumë raste me shumë qejf do ta marrë kombinimin e mollëve dhe mjaltit. Kjo përzierje është eliksir i vërtetët i shëndetit dhe bombë energjetike, e cila është e dobishme për forcimin e organizmit të sëmurë dhe të lodhur. Ja disa receta të dobishme.




  • Pije e ftohtë nga mjalti dhe molla
    Pastroni një mollë të madhe nga farat dhe preni imët. Shtoni lëng të freskët portokalli të shtrydhur, ëmbëltojeni mirë me mjaltë dhe gjatë ditës kohë pas kohe jepjani të sëmurit nga një lugë.

  • Sallata nga molla me mjaltë
    Disa mollë më të mëdha i preni imët dhe i përzieni me lëngun e portokallit dhe limonit, duke shtuar 3-4 lugë mjaltë dhe nga kjo bëni krem. Nëse kësaj i shtohet edhe një copë banane, do të jetë më efikase edhe më e shijshme. Sipas dëshirës mund të shtohet shllag ose ajkë.

  • Molla, mjalti dhe qulli i tërshërës
    Përzierja e mollëve të ziera, e qullit të tërshërës, mjaltit, vaniljes dhe një gotë jogurti. E gjitha përzihet derisa nuk të fitohet pamja e shllagut. Ky është ushqim veçanërisht i pasur për fëmijët dhe mund të përdoret edhe për lyerjen e bukës.

Arsyet pse nuk zvogëloni dot barkun tuaj

Edhe pas dietës që e keni mbajtur për disa javë, ende nuk mund të vishni një palë xhinse? Pse nuk mundeni assesi që të “humbni” stomakun tuaj?


1.Keni mungesë magnezi


Trupi ynë kërkon magnez për më shumë se 300 reaksione kimike, duke përfshirë ritmin e qëndrueshëm të rrahjeve të zemrës dhe rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak. Gjithashtu, ky mineral merr pjesë në reduktimin e mbajtjes fluide gjatë ciklit menstrual, që do të thotë se zvogëlon fryrjen e barkut. Konsumoni sa më shumë ushqime të pasura me magnez, të tilla si perimet me gjethe jeshile, fasule dhe arra. Kërkesa e përditshme për gratë nën moshën 30 vjeçare është 310 mg, kurse 320 mg për ato mbi moshën 30-vjeçare.



2.Jeni duke bërë ushtrime të gabuara


Nëse vraponi me të njëjtin intensitet, në fillim do të humbni peshë, por së shpejti do të rregulloni metabolizmin tuaj dhe do të pushoni të digjni kalori, menjëherë pas largimit nga pista e vrapimit. Për të reduktuar perimetrin e belit, është më mirë për të ngritur pesha, ose të vraponi sprint, por më së miri është të bëni stërvitje me intensitet të lartë. Këtu përfshihen ushtrimet kardio, vrapimi, noti, çiklizmi, kanotazhi.



3.Nuk flini sa duhet


Mungesa e gjumit mund të ketë efekte serioze në trashësinë e belit. Gratë që flenë pesë ose më pak orë gjatë natës, kanë një shans për 32 për qind që gjatë 16 viteve, të shtojnë më shumë peshë se sa ato që flinin më gjatë. Përveç kësaj, gratë që flenë katër, në vend të tetë orëve, marrin më shumë se 300 kalori shtesë në ditë, kryesisht nga ushqimet yndyrore. Reduktimi i gjumit, rrit sekretimin e hormonit grelinë, i cila stimulon oreksin. Për të bërë shtatë deri në nëntë orë gjumë të shëndoshë, largoni të gjitha pajisjeve elektrike nga dhoma e gjumit dhe në dhomë le të mbretërojë temperatura pak më e ulët.



4.Pijet e gazuara


Pijet e ëmbla të gazuara janë të dëmshme për çdo dietë dhe madje edhe pijet pa kalori mund të ndikojnë në “barkun” tuaj. Të ashtuquajturat pije të “lehta”, janë të lidhur me rritjen e vëllimit të stomakut, sepse trupi ynë nuk reagon njësoj në ëmbëltuesit artificial, sikurse kur konsumojnë ëmbëlsirat.



5.E teproni me kripë


Nëse ndiheni ndonjëherë i fryrë pas racionit të njelmët, kjo është për shkak se kripa e tepërt ndikon që uji të përhapet nga rrjedha e gjakut në lëkurë. Gati 90 për qind e njerëzve që konsumojnë më shumë se 2.3 mg kripë në ditë, duken më të fryrë në fytyrë. Shmangni kriposjen e tepërt të ushqimit gjatë gatimit.



6.Shumë alkool


Disa studime kanë treguar se alkooli mund të rrisë oreksin dhe disa lloje të alkoolit lidhen drejtpërdrejt me depozitat e yndyrës në stomak. Kjo veçanërisht ka të bëjë me birrën nga e cila “rritet” stomaku, ndërsa një studim gjerman zbuloi se konsumimi i alkoolit nga gratë, gjatë gjithë jetës së tyre, ka lidhshmëri me formimin e shtesave të yndyrës në zonën e barkut.

Losion Natural për largimin e njollave nga fytyra

Nëse keni fytyrë problematike me njolla, kemi vendosur të ju ndihmojmë me anë të një losioni të cilin shumë lehtë mund ta përgatisni vet në shtëpi.

Përbërësit e nevojshëm:

  • 1 decilitër lëng limoni

  • 2 lugë majdanoz

  • 1,5 decilitra ujë të destiluar

  • 0,5 decilitra alkool 70%


Përgatitja:

Imtësoni gjethet e majdanozit, shtoni ujin e destiluar dhe alkoolin. Përbërjen vendoseni në një kavanoz, mbylleni mirë dhe lëreni të qëndrojë tërë natën.

Ditën tjetër kullojeni lëngun dhe në të shtoni lëngun e limonit, propozon Milingona. Losionin aplikojeni në mbrëmje në lëkurë të pastër, mund ta përdorni edhe në mëngjes.

Losionin duhet ta ruani në frigorifer.

Nicole Scherzinger reklamon linjën e saj të modës

Nicole Scherzinger  reklamon linjën e saj të modës Në video shihet këngëtarja duke reklamuar koleksionin e saj të vetëdiazjnuar në Los Angeles.

Ish-anëtarja e jurisë së X Factor në janar pati bërë publik lajmin për linjën e saj të modës, duke thënë se ndjehet tepër e emocionuar për këtë fakt.

“Jam shumë e emocionuar që po bashkëpunoj me “Missguided”! Kam veshur rrobat e tyre në të kaluarën dhe jam fanse e madhe e kësaj marke. Është hera e parë që po dizajnoj koleksionin tim dhe nuk do kisha mundur të gjeja markë më të përshtatshme se “Missguided””, ka thënë Nicole.

Koleksioni “Nicole x” tani është në dispozicion ekskluzivisht në ueb-faqen Missguided.co.uk me çmime që variojnë nga 15 deri në 50 sterlina.

Watch this video on YouTube.

Të mirat e kamomilit

Të mirat e kamomilitKjo bimë shëruese është zgjedhja më e shpeshtë kur dëshirojmë që ta pimë një filxhan me çaj të ngrohtë, veçanërisht në kohët e ftohjes dhe gripit.


Karakteristikat shëruese të tij janë të njohura qysh moti, ndërsa më së shpeshti pihet kur kemi probleme me lukthin, por lista e ndikimit të kamomilit shërues është goxha e gjatë.


Një filxhan me çaj kamomili në ditë mund ta reduktojë rrezikun nga kanceri, mendojnë shkencëtarët nga Universiteti i Ohajos në SHBA, sepse përmban molekula me emrin apigenin, që mund ta ndërpresin përhapjen e qelizave të kancerit.


Ndihmon në rast të fryrjes, diarresë, inflamacionit dhe sëmundjeve të tjera të lukthit, te problemet ose vonesa e menstruacioneve dhe problemeve të tjera në bark, në rast të pagjumësisë, temperaturës, plagëve dhe dhimbjes së dhëmbëve. Kamomili e nxit djersitjen, redukton dhimbjet, zbut ngërçet, dezinfekton dhe ka efekt antiinflamator.


Ekzistojnë shumë lloje të kamomilit, ndërsa më shëruesit janë kamomili romak dhe ai gjerman.

Pas Turqisë, Kosova luan me Irlandën

Pas Turqisë, Kosova luan me Irlandën Pas ndeshjes miqësore me Turqinë, e cila pritet të luhet me 21 maj, përfaqësuesja e Kosovës ka gjasa të përballet edhe me Irlandën. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka nisur misionin që t’i siguroj përfaqësueses së Kosovës edhe një kundërshtar për muajin maj. Ekipi i Albert Bunjakut me 21 maj pritet të përballet me Kombëtaren e Turqisë.


Mirëpo, pas takimit me përfaqësuesen turke, skuadra kosovar ka gjasa të përballet edhe me Irlandën. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në emisionin ‘Debat’ në ‘Klan Kosova’. “Tani do ta kemi ndeshjen tjetër me 21 maj në mes të Reprezentacionit të Kosovës dhe të Turqisë dhe jemi në negociata edhe me Irlandën”, ka deklaruar Thaçi.


“Ndeshja me Turqinë mesa e di unë do të mbahet përsëri në Mitrovicë, ndërsa me Irlandën ende nuk është përcaktuar. Kam qenë i angazhuar personalisht për këtë ndeshje, duke i ndihmuar federatën e futbollit edhe për ndeshjen me Haitin, edhe për Turqinë e Irlandën”, u shpreh kryeministri Thaçi.


Ndërsa, ditë më parë opsion për Kosovën është përmendur edhe përfaqësuesja e Senegalit. Ndërsa, edhe Alain Giresse, selektori i Senegalit,gjatë qëndrimit në Prishtinë ka thënë se është i gatshëm të përballet me përfaqësuesen e Kosovës.

Strasburgu kërkon hetimin e Berishës dhe Bashës për 21 Janarin

Strasburgu kërkon hetimin e Berishës dhe Bashës për 21 JanarinKa marrë një kthesë të papritur takimi i 7 i Komitetit të Stabilizim- Asocimit mes Parlamentit Europian dhe Parlamentit Shqiptar në Strasburg. Ndërsa grupi i deputetëve të Partisë Demokratike, ishte urdhëruar nga Sali Berisha për të votuar kundër deklaratës së përbashkët për integrimin si dhe për të denoncuar vendimet e qeverisë “Rama”, befas diskutimet janë zhvendosur tek ngjarjet e 21 Janarit. 


Ndërsa Majlinda Bregu dhe Aldo Bumçi, me porosi të Sali Berishës kanë hedhur akuza mbi qeverinë “Rama”, eurodeputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për vrasjet e 21 Janarit.


Konkretisht, është kërkuar hetimi i Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, të identifikuar si tre përgjegjësit e vetëm për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm dhe plagosjen e dhjetërave të tjerë. Ka qenë eurodeputetja, Tanja Fajon, që ka kërkuar zbardhjen e 21 Janarit.


Madje, zonja Fajon e ka konsideruar ta papranueshëm faktin se përgjegjësit e 21 Janarit ende nuk janë gjetur.


“Është e papranueshme që nuk ka ende autorë”, ka thënë Tanja Fajon. Deklaratën e bërë në Parlamentin Europian, Fajon e ka postuar në faqen e saj në rrjetin social. Kjo deklaratë ka zënë në befasi dhe ka revoltuar deputetët e Partisë Demokratike.


Menjëherë ka reaguar deputeti demokrat, Aldo Bumçi, i cili ka kërkuar dënimin e organizatorëve të 21 Janarit dhe jo përgjegjësit. Bumçi ka kërkuar dënimin e kryeministrit Edi Rama, si organizator i demonstratës, duke skandalizuar Parlamentin Evropian.


“Të dënohen nxitësit dhe autorët e dhunës së 21 Janarit. Kryeministri Rama më 21 Janar synonte pushtimin e Kryeministrisë, pasi në mbi 1 mijë protesta të opozitës nuk ka pasur as edhe një incident”, ka deklarua ai.

Laura Pula: Për katër muaj 183 akuza për korrupsion

 Laura Pula: Për katër muaj 183 akuza për korrupsionKoordinatorja Nacionale Kundër Korrupsionit, Laura Pula ka paraqitur raportin e statistikave nga plani i veprimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lëndët e korrupsionit dhe akuzave të ngritura ndaj atyre që kanë bërë vepra që lidhen me korrupsionin.


Ajo tha se gjatë kësaj periudhe katër mujore janë ngritur 183 akuza, ku tetë janë zyrtarë të Qeverisë e Kosovës, gjashtë nga Policia e Kosovës, gjashtë nga Administrata Tatimore e Kosovës, një kryetar komune, dy nënkryetar dhe dy drejtor.


Pula tha se AKK ka paraqitur 29 raste ndaj zyrtarëve të lartë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë, ku prej tyre janë ngritur 27 akuza, ndërsa kanë mbetur dy për shkak të specifikave të ndryshme.


Ajo tha se AKK ka raportuar edhe raste tjera që lidhen me korrupsionin, të cilat Prokuroria e Shtetit i ka marrë dhe do t’i shqyrtojë.

Shqetësohet UNESCO për privatizimin e Butrintit

Shqetësohet UNESCO për privatizimin e ButrintitPrivatizimi i një pjese të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Butrintit, ka shqetësuar edhe UNESCO-n. Pak ditë pasi Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë, denoncoi publikisht rastin, kanë reaguar zyrtarë të lartë të Qendrës së Trashëgimisë Botërore.



Përmes një letre, dërguar ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, Kishore Rao, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Kulturore-UNESCO, në Paris ka kërkuar informacion të detajuar. Në letër,(që i ka shkuar për dijeni edhe Komisionit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n), Rao pyet se si qëndron çështja e ndryshimit të pronarit. Më tutje, ai kërkon të dijë nga shteti shqiptar se ku shtrihen ekzaktësisht tokat e privatizuara, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore dhe sa ky privatizim mund të ndikojë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit.


“Qendra e Trashëgimisë Botërore së fundmi ka marrë një artikull në lidhje me ndryshimin e pronësisë mbi tokën e Parkut Kombëtar të Butrintit. Po ju dërgoj, edhe një kopje të artikullit, i cili gjithashtu mund të lexohet edhe këtu.


Në përputhje me paragrafin 174 të udhëzimeve operacionale, përgjigja e qeverisë suaj, do të na mundësojë të verifikojmë burimin dhe përmbajtjen e informacionit që ka marrë qendra. Prandaj, unë do ju isha mirënjohës nëse ju mund ta përcillni këtë mesazh, tek autoritetet tuaja lokale e kombëtare, dhe të na njihni ne me komentet e tyre mbi ndryshimin e pronarit të tokës dhe ndikimin e mundshëm që kjo mund të ketë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit, pasuri e Trashëgimisë Botërore. Ne do ju ishim mirënjohës, nëse autoritetet tuaja mund të na saktësojnë se ku shtrihen ekzaktësisht tokat në fjalë, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore”, citohet letra në “GSH”.


Pak ditë më parë, Forumi i Trashëgimisë përmes një deklarate për mediat, njoftoi se Butrinti është privatizuar, dhe se pronari i ri i një pjesë të tij, është Agim Toro, i cili e ka marrë atë si kthim prone. Gjatë këtyre ditëve, në media ka pasur debate mes palëve. Toro, ka qenë për një kohë të gjatë i punësuar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Anëtarët e Forumit, kanë bërë me dije se ndër pjesët e Butrintit që i kalojnë Toros, është edhe vetë teatri antik.


DASH: Shqipëria, vend burimi për prodhimin e marijuanës

DASH: Shqipëria, vend burimi për prodhimin e marijuanësDepartamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar ditën e sotme raportin për trafikun e drogës. Sipas këtij raporti Shqipëria mbetet vendburim për prodhimin e marijuanës.



Në raport thuhet se droga e prodhuar në Shqipëri ka për destinacion Europën. Sipas raportit policia ka rritur efektshmërinë në kapjen e drogës dhe vërehet një rritje në kapjen e drogës dhe të arrestimeve në vitin 2013. Në raportin e DASH thuhet se prodhimi marijuanës ka mbetur e lartë për 3 vite radhazi.


“Shqipëria ka probleme me prodhimin e marijuanës. Nuk është shqetësuese për drogat e tjera”. Në raport vlerësohet se vendi ynë ka arritur rezultate në luftën kundër drogës. DASH thekson se SHBA dhe BE po japin ndihmën e tyre në luftën kundër narkotikëve. /bw/


Divorci i radhës për Halle-n

Divorci i radhës për Halle-nHalle Berry ka vendosur të shkurorëzohet nga bashkëshorti i saj, aktori Olivier Martinez, me të cilin ajo para pesë muajve ka lindur djalin Mesie. Halle 47-vjeçe dhe Martinez 48-vjeç, nuk janë parë bashkë që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe sipas disa burimeve, ata nuk jetojnë bashkë për shkak të punës së tij.


Këto burime kanë deklaruar për gazetën ‘New York Daily News’ se duke marrë parasysh se ai është duke xhiruar filmin “Revange”, ndërsa Halle serinë e re ‘CVS’, lidhja e tyre e ka marrë teposhtën. Pas ndarjes së çmimeve Oskar, ishte organizuar një ndejë për nder të kësaj ceremonie, ndërsa Halle nuk kishte ardhur me bashkëshortin e saj, ndërsa në dorën e saj nuk gjendej as unaza e martesës. Atëkohë ajo për revistën “People” kishte deklaruar se më nuk do të lindë fëmijë dhe Zoti i ka dhuruar një dhe për të kjo është e mjaftueshme.


Është interesant se martesa e tyre është vetëm tetëmuajshe dhe dukeshin se ata vërtetë ishin të dashuruar në njëri-tjetrin, pasi tërë kohën shiheshin bashkë. Por kjo është jeta e Hollivudit, ku gjërat mund të ndryshojnë edhe brenda ditës, e lëre me muajve dhe viteve. Ky do të jetë divorci i tretë i saj.

Kur Putini tentoi ta pushtoj Kosovën

Kur Putini tentoi ta pushtoj KosovënMë 10 qershor të vitit 1999, presidenti Bill Clinton i është drejtuar kombit nga Zyra Ovale derisa ka shpallur fitoren në luftën e Kosovës: “Sonte për herë të parë gjatë 79 ditëve, qiejt mbi Jugosllavi janë të qetë. Armata dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova. Një milion burra, gra dhe fëmijë të dëbuar nga toka e tyre, po bëhen gati të kthehen në shtëpi.


Kërkesat e bashkësisë së unifikuar ndërkombëtare janë përmbushur”. Për presidentin Clinton, suksesi pas shumë hapave dhe llogaritjeve të gabuara në fazat e hershme të luftës, kanë shfajësuar lidershipin, por edhe gatishmërinë për të përqafuar një kombinim të forcës dhe diplomacisë. Kushtet e pranuara nga presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq janë caktuar pas shumë javëve të diplomacisë së dështuar torturuese mes treshes së negociatorëve: zëvendës sekretarin amerikan të shtetit Strobe Talbott, presidentin finlandez Martti Ahtisaari dhe emisarit special rus Viktor Chernomyrdin. Edhe pse këta diplomatë ende duhej të finalizonin një marrëveshje rreth asaj se si dhe nëse forcat ruse do të marrin pjesë në misionin paqeruajtës së NATO-s në Kosovë dhe ekipi rus shpesh dukej i ndarë gjatë ditëve finale të bisedimeve, humori në Shtëpinë e Bardhë të Clintonit ishte tundues.


Secili ndjente sikur kishte shmangur një plumb. Por në Rusi, negociatorët amerikanë janë zgjuar në një rrethanë ngjarjesh më të zymta. Në orën 01 të mëngjesit të datës 11 qershor, dhoma e qetë e hotelit të gjeneralit George Casey në hotelin “Marriot” në Moskë, ishte trazuar nga rënia e ziles së telefonit. Lajmi urgjent: Batalioni 186 rus i paqeruajtësve në Bosnje, ishte bërë gati të lëviz dhe dukej se ata do të niseshin për Kosovë, me shpresën se do t’ia arrinin të mundin marshin e paqeruajtësve të NATO-s të cilët duhet të hynin në Kosovë. Kjo lëvizje kishte nxitur planifikim të nxituar të kontingjenteve në selinë e NATO-s.


“Rreziku ishte se nëse rusët hyjnë të parët, ata do të marrin sektorin e tyre”, kishte thënë komandanti ushtarak i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, duke nxjerrë në pah rrezikun potencial që rusët të ndajnë Kosovën “dhe pastaj ne do të humbnim kontrollin e NATO-s në misionin e atjeshëm”. Në një takim në mëngjes midis zyrtarëve ushtarakë rusë dhe amerikanë, oficerët rusë nga ana e tyre ishin të vetëkënaqur dhe agresivë, ku njëri prej gjeneralëve kishte deklaruar: “Ne nuk duhet t’i kërkojmë NATO-s për leje. Ne kemi të drejtë të veprojmë. Nëse NATO-ja ka për qëllim të sjellë 50.000 njerëz në Kosovë, ne do të sjellim 10.000”.


Kur zyrtarët amerikanë kishin përmendur trupat në lëvizje në Bosnje, gjeneralët rusë dukeshin sikur macja që ka ngrënë kanarinën. Në të njëjtin moment, diplomatët rusë iu afruan ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe Hungarisë me një kërkesë të ulët, për lejim të fluturimit të gjashtë avionëve transportues rus IL-76, që ishin drejtuar për Ballkan. Rusët kishin neglizhuar që të informojnë homologët e tyre diplomatik se avionët ishin të mbushur me paratrupa të elitës ruse që do të vendoseshin në Kosovë. Zyrtarët hungarezë kishin dhënë leje për atë që mendonin se ishte një kërkesë rutinë, por ukrainasit ishin menjëherë të dyshimtë.


‘Kjo do të bëhet para se të arrish në aeroport’


Në Ministrinë e Jashtme ruse, Talbott dhe ekipi i tij u ulën me Vladimir Putinin. Si Këshilltar për Siguri Kombëtare, Putin kishte qenë pothuajse i padukshëm gjatë pjesës më të madhe të luftës në Kosovë, por sfondi i inteligjencës së tij do të ishte veçanërisht i rëndësishëm në orët dhe ditët që pasuan. Edhe pse një dorë e vjetër e Rusisë, Talbott nuk kishte shumë shanse për të bashkëvepruar me Putinin në të kaluarën dhe kishte zbuluar se ai me siguri kishte bërë një prezantim më pozitiv se sa shumë nga bashkëkohësit e tij.


Ai ishte i aftë dhe urban dhe ai filloi fjalimin e tij me mirësjellje duke lavdëruar rolin Talbottit në diplomaci. Talbott kuptoi tendosjen e rëndë që fushata ajrore e NATO-s kishte vendosur në marrëdhëniet SHBA-Rusi, por vuri re sinjalet “e çuditshme dhe ogurzi” të cilat po i merrte në lidhje me një vendosje të mundshme të njëanshme të forcave ruse në Kosovë. Talbott kishte planifikuar të fluturojnë jashtë Moskës rreth mesditës dhe ai i kërkoi Putinin sqarime në lidhje me qëndrimin e Rusisë. Putin e kishte siguruar, duke theksuar se “bashkëpunimi ushtarak do të vazhdojë të jetë 100 për qind”. Talbott i kishte quajtur komentet e Putinit si “muzikë për veshët e mi” dhe përsëri kishte bërë presion për një qëndrim sqarues, pasi ai ishte planifikuar për të informuar ambasadorët e NATO-s më vonë gjatë ditës.


Putini i premtoi se do ta lëshonte një deklaratë: “Kjo do të bëhet para se të arrish në aeroport”, tha ai. Në orën 12:30, avioni amerikan u ngrit nga Moska. Siç kishte deklaruar njëri prej negociatorëve amerikan: “Ishte shija ime e parë e Vladimir Putinit. Neve na është thënë nga Putini një orë më herët se derisa ne të arrijmë në aeroport, ai do ta lëshojë një deklaratë, me të cilën do të siguronte botën se ata nuk do të shkonin në Kosovë. Unë enee po e pres atë deklaratë”.


‘Zotëri, unë nuk do ta nis Luftën e Tretë Botërore për ju’


Situata shumë shpejt kishte eskaluar. Ndërsa ushtria serbe kishte filluar të largohej nga Kosova, NATO-ja dhe rusët bëheshin gati të hynin brenda. Konvoi i forcave ruse kishte kaluar nga Bosnja në Serbi, duke ekspozuar shenjën e fitores serbe me tre gishta derisa përcilleshin në autostradë: ata ishin nisur për në aeroportin e Sllatinës në Kosovë. Shërbimet ushtarake dhe të inteligjencës ruse kishin vendosur në mënyrë të qartë se shtytja e forcave të tyre dhe ndryshimi i fakteve në terren, ishin mënyrat më të mira për të rimarrë atë që ishte humbur në tavolinën e bisedimeve. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, kur presidenti Clinton i kishte telefonuar presidentit rus Boris Yeltsin për të ngritur shqetësimet e tij rreth këtyre veprimeve, Yeltsin ishte i hallakatur, i përsëritshëm dhe gati inkoherent.


Ai e kishte përsëritur disa herë se ai dhe Clinton, me askënd tjetër i pranishëm, duhej të takoheshin në një “anije, një nëndetëse, apo ndonjë ishull, në mënyrë që askush të mos të na shqetësojë… askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë”. Clintoni i shqetësuar kishte mbetur i habitur. “Ishte biseda telefonike më bizare mes Yeltsin dhe Clinton në gjashtë vite e gjysmë dhe kjo thoshte shumë”, ka thënë Talbott. Administrata frikohej se Yeltsin e kishte humbur kontrollin e qeverisë dhe avioni i Talbottit kishte bërë një kthesë të papritur për t’u kthyer në Moskë.


Në Evropë, Gjenerali Clark kishte bërë presion për të bllokuar rrugën pranë aeroportit të Sllatinës me helikopterët Apache dhe kërkonte autorizimin që të pengojë dhe rrëzojë avionët rus nëse ata do të tentonin të sillnin paratrupa kundër vullnetit të NATO-s. Gjenerali britanik Michael Jackson, i cili dëshironte thjeshtë të rrethonte forcat ruse në Sllatinë dhe t’i izolonte ata, nuk i ishte bindur Clarkut, duke i thënë: “Zotëri, unë nuk do ta fillojë Luftën e Tretë Botërore për ty”. Dhe falë ndihmës së Ukrainës dhe Hungarisë, rusët nuk kishin arritur të marrin lejet për fluturim në zonën e tyre, kështu që nuk kishin mundësi të përforconin pozitat e tyre dhe kontingjenti i vogël rus, në masë të madhe ishte margjinalizuar në aeroport, derisa ishte arritur një marrëveshje për pjesëmarrjen e tyre në misionin e gjerë paqeruajtës. Situata nuk kishte shpërthyer.


Prestigji i Putinit


Vetëm disa muaj më vonë, Vladimir Putin do të bëhej president i Rusisë dhe përpjekjet për të shtyrë trupat në Kosovë para NATO-s, ishin bërë disi si shabllon për aksionet e tij në të ardhmen. Në vend që të konkludonte se operacioni ka qenë një fiasko i rrezikshëm, ai kishte parë një plan i cili do të kishte sukses po qe se nuk do të pengohej nga nevoja për të marrë leje për fluturim nga shtetet të cilat dikur ishin aleat të fuqishëm të saj si Rumania, Hungaria dhe Ukraina.


Ai donte të konkludonte se edhe pse Rusia ishte e dobët në tavolinën e bisedimeve në krahasim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ai ende ka mundur të arrinte qëllimet e tij strategjike, duke qenë i gatshëm të përqafonte aventurën e cila gjithmonë ka qenë shenjë dalluese e KGB-s dhe pasardhësit të saj, FSB-s. Ndërsa Putin disa ditë më vonë argumentonte me Talbottin në Moskë për të justifikuar planin për aeroportin në Kosovë, dëmi në marrëdhëniet amerikano-ruse, ishte shumë më i vogël se sa që kishte bërë në prestigjin e presidentit Yeltsin. Dhe prestigji nënkupton shumë për Vladimir Putinin.


E tërë karriera e tij deri në atë pikë, ishte ndërtuar me kundërshtimin e tij të fuqishëm kundër shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ngecjet në reformat ekonomike dhe politike nën sundimin e Yeltsin dhe pohimit se Moska ka rrëshqitur që të bëhet super-fuqia e dytë në botë. Për Putinin, kthimi i sigurt në kohën sovjetike ishte përmes udhëheqjes autoritare dhe centralizimit të pushtetit përreth vetes. Putin dëshironte të bënte një vazhdim të një filmi, Bashkimit Sovjetik, edhe përkundër faktit se askush nuk ishte i kënaqur me pjesën e parë të këtij filmi.


Qartë, përvoja e Kosovës në mënyrë direkte ka nxitur gatishmërinë e Putinit për të intervenuar në emër të forcave separatiste në Moldavi dhe për të pushtuar Gjeorgjinë në vitin 2008. nëse Rusia ka mundur të ngreh NATO-n në maje të takeve me disa qindra trupa në Kosovë, vetëm paramendojeni se çfarë mund të bënte përgjatë kufijve të ruajtur shumë dobët. Presidenti Putin duket se llogarit se e vetmja mënyrë për të ngadalësuar tërheqjen gravitacionale të Perëndimit dhe vazhdimit të integrimit evropian, është që të shfrytëzojë enklavat ruse brenda ish shteteve sovjetike, si tentim për t’i shtyrë këto vende në përqafim të sërishëm të Moskës.


Këto taktika kanë qenë tejet efektive në afat të shkurtër, por për një analist të inteligjencës, hapat e Putinit kanë qenë të dështuara në afat të gjatë. A do të përfitoj nga kjo ekonomia ruse apo sistemi politik duke nxitur disa provinca separatiste të ndahen nga kryeqendrat e tyre kombëtare? A do t’i duhet kjo Moskës për të bindur një pjesë të gjerë të Evropës se modernia dhe prosperiteti shtrihet në Perëndim dhe forca e ashpër dhe ndarja sociale shtrihet në Lindje? Dhe çfarë ndodh me ekonominë shtrënguese ruse dhe fuqinë politike kur çmimet e naftës të fillojnë të bien?


Ajo çfarë SHBA-të mund të mësojnë pushtimi i dështuar i Kosovës nga ana e Rusisë, duhet të ofrojë një pamje për SHBA-n dhe aleatëve e saj të NATO-s, se si të merren me Putinin. Gjenerali Jackson kishte një qasje të duhur, jo Gjenerali Clark. Uashingtoni nuk duhet të provojë të mund ushtarakisht Rusinë në Ukrainë apo Gjeorgji. Një luftë e nxehtë nuk është në interesin e askujt. Por Rusia mund të izolohet dhe mënyra më e mirë për Perëndimin për ta izoluar Putinin, është të përdor mjete moderne. Uashingtoni në mënyrë agresive duhet të ndjek parimin se një rrethojë në formë unaze ndaj lidershipit të Putin-it përmes sanksioneve dhe hulumtimit të taksave, transaksioneve dhe parajsave të sigurta financiare të tyre. Ne duhet më me kujdes të kufizojmë botën opulente që ata e banojnë.


Baronët hajna të Rusisë duhet të mendojnë dy herë para se të hyjnë në një avion dhe të shkojnë për vikend në një kazino të huaj dhe ata duhet ta kuptojnë se vendimet e Putinit do t’ju kushtojnë atyre si me para, ashtu edhe me mundësi. Uashington duhet të mohojë prestigjin e Rusisë se i përket G-8-esh apo të udhëheq tubime të mëdha ndërkombëtare. Ky do të ishte një hap simbolik, por ne e dimë se Putini brengoset për simbolizmin dhe se si Rusia shihet në skenën botërore.


Duke u shtirur kinse po rigjen artefaktet antike nga Deti i Zi dhe duke pozuar me gjoks lakuriq i veshur me veshje gjuetie para fotografëve, nuk mund të konsiderohen si aksione të një njeriu i cili nuk brengoset se çfarë mendojnë të tjerët për të dhe vendin e tij. Përfundimisht, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian duhet të përqafojnë modernen, demokracinë dhe përmbajtjen nga përgjigja të cilat në rend të parë i kanë bërë ato si vende tërheqëse për Evropën Lindore. Putini në fund mund ta okupojë Krimenë, por ai me siguri se do të humbë shumë më shumë në proces. Dhe si shembull, trupat e fundit ruse e kanë braktisur Kosovën në vitin 2003, pesë vite para pavarësisë së këtij vendi. /Zëri/


Autor: John Norris is the Executive Director of the Sustainable Security and Peacebuilding Initiative at the Center for American Progress.

6 vjet nga tragjedia e Gërdecit, ceremoni përkujtimore në vendin e shpërthimit

6 vjet nga tragjedia e GërdecitPërkujtohet sot 6 vjetori i tragjedisë së Gërdecit. 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën pas shpërthimit që tronditi fshatin në periferi të Tiranës. Shpërthimi në punishten e demontimit të armëve dëmtoi dhe qindra banesa të zonës përreth.


Ashtu siç do vit familjarët e viktimave do të kryejnë homazhe në kraterin e shpërthimit dhe do të vendosin buqeta me lule në Monumentin përkujtimor me emrat e 26 të vdekurve, në hyrje të ish-punishtes. Në ceremoninë përkujtimore do të jetë e pranishme edhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.


Gjyqi për përgjegjësit e tragjedisë ka përfunduar, por në burg nga 29 të akuzuarit aktualisht ndodhen vetëm 2 persona, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, ndërsa Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji janë në liri. Ylli Pinari la qelinë pak ditë më parë dhe po e shlyen pjesën tjetër të dënimit në liri me kusht.