Pagine

Xhunga promovon “Shkrimtarët e shekullit”

Xhunga promovon “Shkrimtarët e shekullit”Promovimi i librit “Shkrimtarët e Shekullit” të Rudina Xhungës, dje mori vëmendjen e duhur nga gazetarët, politikanët (kryesisht të majtë) dhe personazhet e ekranit, aq sa hapësira që kishte zgjedhur autorja për promovimin u rrinte shumë ngushtë të ftuarve.


Një mori kamerash me logo të televizioneve të ndryshme ishin rreshtuar në pritje të të ftuarit kryesor, kryeministrit Edi Rama, i cili ka shkruar dhe parathënien e librit “Shkrimtarët e Shekullit”. Ai u shfaq bashkë me bashkëshorten Linda Rama për t’i dhënë gjithë vlerësimin që meriton në fakt, një libër ku rrinë tok 31 shkrimtarët më të lexuar dhe më të vlerësuar të këtij shekulli. Nuk është më çudi që edhe për një libër të tillë, ndryshe nga ç’kishte besuar autorja Rudina Xhunga, lind nevoja të paraflitet dhe të parashkruhet.


Dhe kur pjesë e këtij promovimi bëhet dhe kryeministri i vendit, atëherë rruga drejt lexuesit, e beson apo jo autorja, bëhet edhe më e lehtë. Ishte e dukshme që këtë e ka kuptuar si autorja, ashtu dhe botuesja Arlinda Dudaj, që menduan pikërisht Edi Ramën si lexuesin e parë që fton lexuesin e madh ta bëjë pjesë të dijeve të tij librin “Shkrimtarët e Shekullit”. Ka qenë e qëllimshme apo jo që kjo zgjedhje të “përkthehej” në qindra kopje të shitura, kjo mbetet për t’u parë, megjithatë Rama duket se e ka pasur të vështirë të refuzojë kërkesën e autores Xhunga dhe botueses Dudaj për të shkruar parathënien e librit.


“Kush më shikon ku ndodhem tani, e kupton pse nuk e refuzoja dot parathënien mes të kuqes (ngjyra e veshjes së Xhungës) dhe të zezës (ajo e veshjes së botueses Arlinda Dudaj). Ishte kënaqësi të jepja këtë kontribut për këtë botim”.


Sipas Ramës, libri është një vepër e përbashkët e dy grave që japin e marrin me problemet e grave nëna, por që nuk heqin dorë nga pasioni për librin. “Kur bëhen të dyja bashkë është kënaqësi të shohësh çfarë prodhojnë”.


Se çfarë ka prodhuar pasioni i dy grave për librin, lexuesi mund të shkojë ta shohë që nga sot, në të gjitha libraritë e kryeqytetit dhe të ulet më pas ta shfletojë pse jo, me një gotë verë në dorë, siç vetë autorja këshillon miqtë dhe kolegët e saj të pranishëm në promovim. Disa këshilla leximi dhe vlerësime për librin jep për të ftuarit edhe lexuesi Rama. “Ky është një libër që s’të imponon ta fillosh tek faqja e parë, por sa herë ta kapësh sheh diçka që s’e ke parë më parë. Është një libër që i ngjan Rudina Xhungës.


Ndodhesh në stacione krejt të ndryshme, përshkon botën por pa rend, s’ka nevojë të nisesh nga A-ja për të shkuar tek ZH-ja, sepse Rudina ka mbledhur 31 shkrimtarë në një libër të vetëm. Më vjen shumë keq që e kam bërë parathënien duke i vendosur pak në siklet dy mikeshat e mija, që të më japin qendrën e vëmendjes. Unë jam pjesë e punës së tyre në aspektin e promovimit të librit, ndjehem shumë mirë i përdorur, sepse po përdorem për një kauzë shumë të mirë, për të çuar tek publiku një produkt të intelektit më të lartë të botës së sotme të letrave”. E kuptueshme pas kësaj, që autografi i parë i autores, është për mikun Edi Rama.


Libri “Shkrimtarët e Shekullit” është puna 5-vjeçare e emisionit “Shqip” të Rudina Xhungës, e ‘hedhur’ tashmë në letër. Janë 31 intervista që Xhunga i bën pjesë të bibliotekës së botës; secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip; falë një shqiptareje e cila endet prej kohësh në bibliotekën e botës duke ëndërruar ta kapërcejë edhe kufirin e fundit, ku në fund ndalet për t’u kthyer me alibinë e diçkaje të bukur…

Nessun commento:

Posta un commento