Pagine

Deputetët po shqyrtojnë Projektiligjin për zgjedhjet e përgjithshme

Deputetët po shqyrtojnë Projektiligjin për zgjedhjet e përgjithshmeDeputetët e Kuvendit të Kosovës po shqyrtojnë në lexim të parë Projektiligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Megjithëse u cilësua si projektligj që nuk përfshinë ndryshimet e pritura, grupet parlamentare i dhanë mbështetje në parim, me përjashtim të lëvizjes Vetëvendosjes, e cila paralajmëroi abstenim.

Megjithë mbështetjen që i dhanë shumica e grupeve parlamentare, vlerësuan se ky projektligj, nuk përmban ndryshimet e pritura.

Mbështetje në parim të Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në emër të PDK-së i dha deputeti Arsim Bajrami, i cili megjithatë, vlerësoi se ky projektligj nuk promovon një reformë substanciale zgjedhore për të cilën Kosova ka pasur nevojë. Ai tha se ndryshimet më tepër merren me administrimin e sistemit zgjedhor, sesa me sistemin zgjedhor.

“Sistemi zgjedhor do të jetë sistem proporcional me lista të hapura. Këto shtylla po mbesin të pandryshuara, sepse në komisionin parlamentar asnjë parti politike nuk ka pasur një vullnet apo iniciativë për të bërë një reformë substanciale në këtë drejtim”, tha Bajrami.

Edhe Arben Gashi, në emër të LDK-së i dha mbështetje projektligjit, por tha se mbeten ende disa çështje të diskutueshme, siç është vota për bartësin e listës, pragu për kandidatët e pavarur dhe çështje të tjera. Për vonesën e deritashme, ai e fajësoi PDK-në për bllokim të procesit.

Ndërkohë, Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosje abstenon në këtë fazë të shqyrtimit të projektligjit, pasi sipas saj, pa u diskutuar fare në komision në mënyrë të kontrabanduar është ndërruar formula për ndarjen e ulëseve në Kuvend.

“Ky është kontrabandim, prandaj kërkojmë nga kryetari i Kuvendit që të marr të gjitha masat karshi kësaj, sepse ky është tentim për degradim të Kuvendit dhe procedurave të parapara me rregulloren e punës, vetëm e vetëm për t’i akomoduar apetitet e PDK-së dhe LDK-së”, tha Haxhiu.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit për legjislacion, Arben Gashi, i cili tha se kjo çështje është diskutuar dhe votuar në komision. Ai fajësoi Haxhiun dhe Vetëvendosjen për vonesat e projektligjit pas arritjes në Kuvend.

“Fajtore është personalisht zonja dhe partia të cilës i takon, pse qe tri javë është vonuar ligji, sepse e ka humbur kuorumin dhe sot jemi me tri javë vonesë dhe rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje pa reformë zgjedhore. Personalisht je fajtore dhe ia pafsh hairin fajit që e ke bërë”, tha Gashi.

Deputetja Haxhiu reagoi duke thënë se është LDK-ja ajo që e ka bllokuar procesin e reformës zgjedhore tash e tri vjet.

Ndërsa Ardian Gjini nga AAK-ja fajësoi partitë në pushtet për këtë reformë gjysmake. “Prej partive në pushtet nuk ka pasur kurrfarë vullneti për të ndryshuar diçka në mënyrë thelbësore në këtë projektligj”, tha Gjini.

Gjithsesi, edhe Gjini në emër të AAK-së i dha mbështetje projektligjit në parim, sikurse edhe grupet tjera parlamentare. Megjithë mbështetjen, projektligji u vlerësua se ka vetëm ndryshime teknike, por jo substanciale sa i përket reformës zgjedhore, e cila nisi qysh në vitin 2011.

Ndërkohë sot pritet të mbahet edhe një seancë e re e Kuvendit, në të cilën në rend dite për shqyrtim të dytë është edhe Projektligji për veteranët e UÇK-së. /rtk/

Nessun commento:

Posta un commento