Pagine

Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi zyrtarizuan partinë e re

Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi zyrtarizuan partinë e reDy protagonistët e ish- PDK-së, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi sot në Prishtinë promovuan subjektin e tyre politik të pagëzuar Nisma për Kosovën.


Skenës politike kosovare i’u shtua edhe një parti politike. Dy protagonistët e Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi sot në Prishtinë promovuan subjektin e tyre politik të pagëzuar Nisma për Kosovën.


Siç raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve INA, partia e Limajt u pritë me një entuziazëm të madh për faktin se “Salla e Kuqe” e Pallatit të Rinisë ishte stërmbushur me simpatizantë dhe anëtarë të ardhshëm të këtij subjekti politik.


Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, në fjalimin e tij në konferencën promovuese deklaroi se, Nisma e tij do të jetë udhërrëfyese se si duhet të bëhet ndryshimi në Kosovë.


“Kudo që kemi shkuar na kanë pyetur se kur po ia nisni. E sot po themi se po ia nisim. Nga sot Kosova ka nismë të re dhe alternativë të re politike. Sot nuk është thjeshte krijimi i një partie politike më tepër, por është dëshmi se po ndodh ndryshimi. Po na bashkon vizioni, guximi për të ndryshuar dhe shpresa për të vazhduar. Është mëkat të bësh politikë pa parime. Nisma do të ketë parime të bazuara në lidership ekipor e në profesionalizëm”, deklaroi Lima.


Me këtë rast Limaj i ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen subjektit të ri politik për ta ndryshuar të nesërmen tone.


Sipas tij Nisma synon të ndërtoj një shtet ligjor, i cili kujdeset për qytetarët.


Në fjalën e tij para të pranishmëve, Jakup Krasniqi deklaroi se subjekti i ri politik synon për ta përmbyllur konsolidimin e shtetit të së drejtës.


“Sot betohem se cilido nga ne që merr guximin ta lëshoj rrugën që po e parakalojmë para jush do të jem i pari që do t’i kundërvihem dhe pa asnjë hezitim. I ftojmë qytetarët të na bashkohen që ta bëjmë Kosovën shtet ligjor”, theksoi Krasniqi.


Krasniqi më tutje ka thënë se ne do të mbështesim çdo nismë për të pamundësuar vjedhjen e votave. Autoritarizmi e tirania e kanë ngufatur aspiratën për funksionimin e shtetit. Privilegjet individuale të disa personave kanë dëmtuar shumë Kosovën dhe kanë nxitur emigrimin e qytetarëve.


“Nisma do të angazhohet për kthimin e qytetarëve në Kosovë. Nisma për Kosovë do të gjejë forma të reja të bashkëpunimit me vendet e rajonit, sidomos me shtetin amë dhe do të angazhohet për krijimin e tregut të përbashkët. Nisma jonë kërkon bashkimin e qytetarëve për të bërë ndryshime që i duhen vendit tonë”, tha Krasniqi


Limaj e Krasniqi kanë qenë themelues të Partisë Demokratike të Kosovës si dhe bashkëpunëtor të afërt të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Ata njihen në opinion si dy personalitetet më të votuara në parti, pas kryeministrit Thaçi.

Nessun commento:

Posta un commento