Pagine

Fenomeni “Sequi”, BE përjashton delegacionin e saj në Tiranë nga fondet për Shqipërinë, 64 milionë euro në duart e qeverisë

bashkimi evrooopianBashkimi Evropian përshkallëzon masat izoluese, përjashtuese dhe ndëshkuese ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Ettore Sequi (aktualisht i ngrirë) dhe rrethit të tij të ngushtë klientelist, të akuzuar dhe lakuar për korrupsion sistematik me donacionet e Brukselit në Shqipëri. Pas përjashtimit nga diplomacia dhe shkarkimit në bllok të stafit të tij në Tiranë, 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë vendosur të shkërmoqin vatrën e korrupsionit të ngritur nga Ettore Sequi, duke i hequr këtij të fundit të drejtën e menaxhimit të fondeve të BE për Shqipërinë.


Komisioni Evropian ka vendosur të mos ia besojë më Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë donacionet për Shqipërinë, por vetë qeverisë shqiptare. Me pak fjalë, misioni diplomatik i BE në Tiranë, i njollosur tashmë nga aferat e ish-ambasadorit Sequi me donacionet, nuk do të jetë më faktor ndërmjetësimi dhe kalimi parash nga BE në Shqipëri. Shmangia dhe përjashtimi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë nga ndarja, mbikëqyrja dhe diktimi i fondeve të IPA ka ardhur disa ditë pasi 27 vende të BE vendosën të largojnë Ettore Sequi nga Shqipëria pas abuzimit me donacionet e BE, në bashkëpunim me një rreth klientele të përbërë nga Avokati i Popullit, Igli Totozani, bashkëshortja e tij, Marta Onorato, Remzi Lani, disa universitete private, disa shoqata etj. Ndërkaq, lajmi është konfirmuar nga dy ministra të kabinetit “Rama”, konkretisht nga ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Ministrja Gjosha pohoi se ky vendim i Komisionit Evropian konfirmon besimin e Brukselit tek qeveria e re. “Fondet e IPA-s nuk do të menaxhohen më nga Brukseli, por nga autoritetet shqiptare. Dua të siguroj BE-në në emër të qeverisë se, besimi i dhënë na bën të jemi më të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm, që kërkohet më shumë punë në realizimin e reformave të procesit të integrimit dhe ne jemi të vendosur për të ecur përpara në axhendën europiane”, tha ministrja Gjosha.


Ministrja Gjosha  


Ministrja Gjosha pohoi se vendimi i KE është një dëshmi e një administrate shtetërore efiçente. “Ky sukses është një dëshmi e një administrate shtetërore efiçente, ku Brukseli mund të mbështetet pa asnjë ekuivok. Gjithashtu do ta cilësoja një mesazh të qartë për qeverinë shqiptare e cila duhet të vazhdojë rrugën e nisur duke përparuar me reformat, për të garantuar mbi të gjitha më shumë siguri dhe progres për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ministrja Gjosha në fjalën e saj. Ministrja theksoi se suksesi i arritur, është në vijim të pikësynimeve që qeveria shqiptare ka në përmbushjen e kushteve dhe objektivave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Kjo arritje, sipas ministres është gjithashtu, rezultat i një pune konkrete që vendi ynë ka bërë në drejtim të plotësimit të  së një sërë detyrimesh.


Ministri Cani


Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka deklaruar se vendimi i Komisionit Evropian që qeveria t’i menaxhojë vetë dhe në mënyrë të pavarur fondet e Bashkimit Evropian, vjen pas performancës së suksesshme të qeverisë shqiptare. “Sigurisht që ky vendim nga strukturat përkatëse të BE arrihet pas një angazhimi maksimal të Qeverisë Shqiptare në krijimin e kuadrit ligjor e institucional dhe të një sistemi të përgjithshëm kontrolli dhe menaxhimi të IPA-s, i cili  përmbush kriteret e përcaktuara nga BE-ja për kalimin nga menaxhimi i centralizuar i asistencës financiare në menaxhimin e decentralizuar. Fondet nuk do të menaxhohen nga Brukseli, por do të kalojnë për menaxhim në organet përkatëse shqiptare”, u shpreh Ministri i Financave, z. Shkelqim Cani. Ministri theksoi se zbatimi më tej do të jetë një sfidë për strukturat e administratës shqiptare dhe qeveria shpreh angazhimin për mbështetjen e këtyre institucioneve në realizimin e kësaj sfide.


Vendimi për 64 milionë euro  


Institucionet shqiptare, do të menaxhojnë vetë në mënyrë të pavarur fondet e Bashkimit Evropian dhe jo sikurse ka ndodhur deri tani nëpërmjet  Delegacionit Evropian. Vendimi i fundit i Komisionit Evropian i jep mundësinë qeverisë shqiptare të jetë përgjegjëse, për procedurat e prokurimit dhe zbatimit të projekteve. Janë rreth 64 milionë euro të cilat do të përdoren për zbatimin e 12 projekteve si pjesë e programit IPA-2013, miratimi i së cilit u bë disa javë më parë. Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha bëri me dije se fillimisht kjo e drejtë do të jepet për disa projekte të asistencës së BE, të cilat do të menaxhohen nga pala shqiptare, në sistemin gjyqësor, formimin profesional etj. “Fillimisht kjo praktikë do të mundësohet nga menaxhimi i disa fondeve nga IPA 2013. Dua të siguroj BE-në në emër të qeverisë se besimi i dhënë na bënë të jemi më të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm që kërkohet më shumë punë në realizimin e reformave të procesit të integrimit dhe ne jemi të vendosur për të ecur përpara në axhendën europiane”, tha ministrja Gjosha.


Angazhimi i qeverisë


Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, e cilësoi si sukses vendimin e KE-së për të lejuar Shqipërinë që t`i financojë vetë fondet e Bashkimit Europian duke theksuar se ky vendim është edhe një hap për integrimin. “Sistemi i menaxhimit të decentralizuar ka një rëndësi të veçantë pasi përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian si dhe për politikat e zhvillimit kombëtar”, tha Cani. Ai bëri të ditur se ky lajm shpreh besimin e madh që institucionet ndërkombëtare, në këtë rast BE -ja, ka ndaj kësaj qeverie, pasi akreditimi vjen pas një auditimi të strukturave shqiptare nga autoritet e Komisionit Europian dhe kuptohet pas përmbushjes prej institucioneve tona të rekomandimeve të tyre. Cani siguroi për angazhimin e padiskutueshëm të strukturave dhe stafeve të menaxhimit të decentralizuar në ministritë përkatëse për përgjegjësinë e marrjes së detyrave nga BE për menaxhimin e decentralizuar të fondeve të IPA.


Fondet IPA   


Prej vitit 2007 Shqipëria përfiton prej Instrumentit të Para Aderimit (IPA), që mbështet vendet kandidate dhe kandidate potenciale të përfshira në Procesin e Stabilizim-Asociimit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE). Ky instrument i unifikuar financiar pasoi programin CARDS dhe një sere instrumentesh ekzistuese dhe është i organizuar në 5 komponentë. Duke qenë se Shqipëria ende nuk gëzon statusin e vendit kandidat, ajo aktualisht përfiton vetëm nga 2 komponentët e parë të IPA-s: Komponenti I – Asistenca e Tranzicionit dhe Ngritja e Institucioneve dhe Komponenti II – Bashkëpunimi Ndërkufitar. Duhet theksuar se, në pritje të marrjes së statusit kandidat dhe aksesimit të tre komponentëve të tjerë, një pjesë e ndihmës së parashikuar për këto të fundit është kanalizuar ndërkohë tek dy komponentët aktivë, e kryesisht tek i pari.


Bregu akuza Canit dhe Gjoshës   


Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka reaguar pas deklaratës së dy ministrave të kabinetit Rama për marrjen e menaxhimit të fondeve të BE. Bregu shprehet se fondet që ministrat Gjosha e Cani i shitën si sukses të kësaj qeverie do të kishin qenë dyfish nëse nuk do të kishin bllokuar statusin e vendit kandidat për vite radhë. “Një deklaratë të bujshme për shtyp sot, ministrja e Integrimit dhe ai i Financave, na shpallen “suksesin” e qeverisë së tyre për menaxhimin në mënyrë të decentralizuar të fondeve IPA. Ato fonde që do të kishin qenë sot gati dyfish nëse statusi i vendit kandidat nuk do të ishte bllokuar për vite nga opozita e djeshme, sot qeveri rilindëse. Sot Komisioni Evropian i dha akreditimin Shqipërisë për të menaxhuar vetë këto fonde. Por a e dini se cili është kontributi i qeverise Rama këto 6 muaj për këtë proces? Shtyrja e akreditimit! 6 muaj të tjerë të humbur pasi largimi nga puna”, ka thekuar Bregu.  Adriatik Doçi  – Sot News

Nessun commento:

Posta un commento