Pagine

SHBA-të mund të lirojnë spiunin izraelit

SHBA-të mund të lirojnë spiunin izraelitShtetet e Bashkuara mund të shqyrtojnë lirimin e Jonathan Pollard, një amerikan i burgosur për spiunazh në favor të Izraelit, në përpjekje për të shpëtuar procesin e paqes në Lindjen e Mesme. 


Një zyrtar amerikan tha për “New York Times” se ende nuk është marrë asnjë vendim, por konfirmoi se lidhur me çështjen janë zhvilluar bisedime. Në këmbim Izraeli duhet t’i bëjë lëshime domethënëse palestinezëve, tha burimi.


Pollard, një ish-analist i shërbimeve sekrete të marinës amerikane, u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 1987 pasi i kalonte dokumente sekrete Izraelit.


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry udhëtoi në Lindjen e Mesme të hënën për të zhvilluar bisedime urgjente. Ai zhvilloi takime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe me kryenegociatorin palestinez Saeb Erekat, para se të largohej nga vendi disa orë më vonë.


Asnjë nga palët nuk bëri publike detaje mbi bisedimet. Kjo është hera e dytë që zoti Kerry ndryshon axhendën e tij për të shtyrë Izraelin dhe Palestinën për të zgjatur bisedimet direkte të paqes përtej 29 prillit, afati i vendosur verën e kaluar kur procesi rifilloi pas tre vjet ngërç.


Më herët plani i tij kishte ndryshuar për shkak të çështjes së lirimit të grupit të katërt të 26 të burgosurve palestinezë, të dënuar me afate të gjata në burgjet izraelite.


Palestina kërkoi lirimin e tyre brenda marsit, por Izraeli e kushtëzoi atë me zgjatjen e bisedimeve përtej afatit të 29 prillit.

Nessun commento:

Posta un commento