Pagine

Hashim Thaçi injoron Agim Bahtiri

Hashim Thaçi injoron Agim BahtiriKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe njëherë ka dëshmuar se nuk e ka ndër mend ta takojë kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, sa herë që ai shkon në këtë qytet.


E njëjta gjë ka ndodhur edhe të mërkurën, kur shefi i qeverisë as nuk e kishte njoftuar e as nuk e kishte ftuar kryetarin e Mitrovicës që ta shoqërojë atë dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, gjatë vizitës në minierën e Stan Tërgut.


Por, kryetarin Bahtiri e takojnë bashkëpartiakët e tij, sa herë që ai ka nevojë për ta. Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, dy ditë më parë ka marrë pjesë në hapjen e një gjellëtoreje humanitare në Mitrovicë, ndërsa bashkë me Bahtirin, muajin e kaluar kishte shkuar edhe në minierën e “Trepçës”.


E për të mos u ndjerë i anashkaluar nga qeveria dhe Thaçi, e më tepër për ta ndjerë frymën e përkrahjes së partisë së tij, AKR, kryetarin e Mitrovicës e ka takuar bashkëpartiaku i tij, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli. Ata kanë folur për projekte konkrete që priten të realizohen në Mitrovicë, para së gjithash krijimi i zonës së lirë ekonomike, ku investitorëve të huaj do t’u krijohen kushte të favorshme për investime.


“Do ta kenë mbështetjen e plotë të ministrisë që e udhëheq unë për të gjitha projektet. Zona e lirë është me rëndësi të veçantë. Pasi të kryhen procedurat ligjore, që shpresoj të mos zgjasin shumë, kjo zonë do t’u ofrojë lehtësira të gjithë investitorëve potencialë”, ka kurajuar Bahtirin ministri Ismajli.


Ndonëse Bahtiri dinte në detaje për inicimin e procedurave për ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ministri Ismajli ka përsëritur se me këtë ligj ndërmarrja “Trepça” i kthehet qeverisë për menaxhim. “Me ndryshimin e ligjit, ndërmarrja ‘Trepça’ do t’i kthehet Qeverisë së Kosovës për menaxhim, pasi që vlerësojmë se në këtë mënyrë qeveria do të merr vendime konkrete sa i përket këtij gjiganti metalurgjik dhe kjo do të jetë shumë e dobishme, jo vetëm për zhvillimin e Mitrovicës, por edhe të Kosovës”, ka thënë ministri Ismajli.


Në anën tjetër, i pari i Mitrovicës, i shprehu mirënjohje bashkëpartiakut të tij për përkrahje. Ai tha se përkrahja është e domosdoshme për realizimin e projekteve zhvillimore në komunën e Mitrovicës. “Dëshiroj t’iu them se jam duke punuar pa ndalur, që së pari ligji të respektohet në përpikëri, e pastaj të gjitha projektet që janë të rëndësishme për zhvillimin e Mitrovicës të realizohen”, theksoi kryetari Bahtiri, i cili e vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme bashkëpunim me MZHE-në për realizimin projekteve.

Nessun commento:

Posta un commento